Hapet ura e re mbi Ibër

Sot në Mitrovicë është përuruar ura e re e cila do të shërbejë për kalimin e këmbësorëve mbi lumin Ibër.

Kjo është ura e dytë, pas asaj e cila u hap për vetura në qershor të këtij viti, e cila po përurohet brenda vitit, e që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, shkruan Zeri.info.

 

Në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti i cili uroj qytetarët e Mitrovicës për urën e re.

Kurti pasi preu shiritin e hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, tha se në çdo takim me ndërkombëtarët e përsërit qëndrimin se ura duhet të jetë e hapur.

“Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë se ura duhet të jetë e hapur. Kemi 77 ura mbi lumin Ibër, disa prej tyre në Mal të Zi dhe Serbi. Në urën kryesore ka persona që nuk duhet të jenë pjesëtarë të KFOR-it dhe kjo bëhet me dialog dhe bisedë të hapur. Dëshirojmë të kemi shkëmbim tregtar dhe lëvizje të lirë. Urat mbi Ibër janë të Mitrovicës dhe të mitrovicasve”, tha Kurti. /Zëri