BQK-ja diskuton me ambasadat e Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës reformat në sektorin financiar dhe Kartonin e Gjelbër

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, së bashku me Zëvendësguvernatorin Milot Cakaj dhe ekipin e BQK-së, kanë zhvilluar një takim me përfaqësuesit e Ambasadave të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, ku u diskutuan zhvillimet në sektorin financiar të Kosovës dhe aktivitetet reformuese në vijim.

Në takim morën pjesë Clarissa Castek, zëvendësshefe e Misionit në Ambasadën e Austrisë në Prishtinë; Christoph Fuchs, zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë; si dhe Christian Böttcher, zëvendësshef i Misionit në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë.

Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili i informoi përfaqësuesit diplomatikë për zhvillimet kryesore në sektorin financiar, përfshirë iniciativat reformuese dhe progresin në forcimin e kornizës ligjore dhe rregullative.

Theks i veçantë iu kushtua reformave që lidhen me procesin e integrimit evropian, veçanërisht çështjeve të ndërlidhura me sistemin e Kartonit të Gjelbër, në kuadër të mandatit të BQK-së për rregullimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe sektorit të sigurimeve.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e BQK-së për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës në forcimin e integritetit, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar të Kosovës.

BQK vlerëson lart bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe mbështetjen e tyre në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe në mbështetjen e integrimit të Kosovës në mekanizmat përkatës evropianë.