Gjendet pa shenja jete një 57-vjeçar në Prizren, pranë tij ishte një pistoletë

Një 57-vjeçar është gjetur pa shenja jete sot në fshatin Serbicë e Ulët të Prizrenit.

Policia ka konfirmuar se viktima është një mashkull me iniciale M.K., i moshës 57-vjeçar dhe pranë tij është gjetur edhe një armë zjarri, raporton Zeri.info.

“Sot, më 17.12.2025, rreth orës 11:35, Policia ka pranuar informatën se në fushën e fshatit Serbicë e Ulët, në Prizren, është vërejtur një person pa shenja jete. Njësitet policore dhe emergjenca mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit. Viktima është identifikuar si M.K., 57-vjeçar, mashkull, nga fshati Serbicë e Ulët. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi relevante”, ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai shtoi se prokurori kompetent është njoftuar dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në përputhje me udhëzimet e tij. Hetimet janë në vazhdim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit. /Zëri