Komisioni Evropian konfirmon: Do t’i heqim vetëm 50 për qind të masave

Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë për lirimin e gjysmës së shumës së ndihmës financiare që ishte dedikuar për Kosovën, por kishte mbetur e bllokuar për shkak të masave të vendosura në verë të vitit 2023.

Kjo është konfirmuar nga Zyra e Shtypit e Komisionit Evropian, pasi u konstatua se pas zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë ka pasur transferim të qetë dhe të rregullt të qeverisjes lokale në veri të vendit.

Pesëdhjetë për qind e asistencës financiare kap shumën mbi 200 milionë euro.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur të martën se ka pranuar një letër nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim, në të cilën konfirmohet heqja e një pjese të masave në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, kjo shumë do të mundësojë nënshkrimin e kontratave për katër projekte, ndërsa pjesa e mbetur prej 181 milionë eurosh është pjesë e zbatimit të të gjitha fondeve të mbetura nga programi i Instrumentit të Para-Anëtarësimit, të destinuara për Kosovën.

Siç është shpjeguar nga Zyra e Shtypit e Komisionit Evropian, miratimi i planifikuar i vendimit të financimit pritet të ndodhë në pranverën e vitit 2026, ndërsa lejimi i projekteve të para do të duhej të fillojë në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. /rtk