Trumpi padit BBC-në për shpifje, i kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur padi prej 5 miliardë dollarësh (3.7 miliardë funte) kundër BBC-së për shkak të një redaktimi të fjalimit të tij të 6 janarit 2021 në një dokumentar të emisionit Panorama.

Trump e akuzon transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të një ligji mbi praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të depozituara në Florida.

BBC i kërkoi falje Trumpit muajin e kaluar, por hodhi poshtë kërkesat e tij për dëmshpërblim dhe tha se nuk ka asnjë “bazë për një pretendim shpifjeje”.

Ekipi ligjor i Trumpit akuzoi BBC-në se e ka shpifur duke “manipuluar qëllimisht, me keqdashje dhe në mënyrë mashtruese fjalimin e tij”. BBC-ja nuk ka reaguar ende ndaj padisë.

Trump tha muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.

“Mendoj se duhet ta bëj”, u tha Trump gazetarëve për planet e tij. “Ata mashtruan. I ndryshuan fjalët që dolën nga goja ime”, theksoi ai.

Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, përpara trazirave në Kapitolin e SHBA-së, Trump i tha turmës: “Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët dhe kongresmenët e kongresistet tona të guximshme”, raporton BBC.

Në programin Panorama, një klip e paraqiti atë duke thënë: “Do të ecim drejt Kapitolit… dhe do të jem atje me ju. Dhe ne luftojmë. Luftojmë fort”.

BBC pranoi se redaktimi kishte krijuar “përshtypjen e gabuar” se ai kishte “bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprim të dhunshëm”, por nuk u pajtua se kishte bazë për një pretendim shpifjeje.

Në nëntor, një memo e brendshme e rrjedhur e BBC-së kritikoi mënyrën se si ishte redaktuar fjalimi dhe çoi në dorëheqjet e drejtorit të përgjithshëm të BBC-së, Tim Davie, dhe shefes së lajmeve, Deborah Turness.

Para se Trump të ngrinte padinë, avokatët e BBC-së i kishin dhënë një përgjigje të gjatë pretendimeve të presidentit.

Ata thanë se nuk kishte keqdashje në redaktim dhe se Trump nuk ishte dëmtuar nga programi, pasi ai u rizgjodh pak kohë pasi u transmetua.

Ata gjithashtu thanë se BBC nuk kishte të drejta për ta shpërndarë dhe nuk e kishte shpërndarë dokumentarin Panorama në kanalet e saj në SHBA. Ndërsa dokumentari ishte i disponueshëm në BBC iPlayer, ai ishte i kufizuar për shikuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

Në padinë e tij, Trump përmend marrëveshje që BBC kishte me shpërndarës të tjerë për të shfaqur përmbajtje, konkretisht një marrëveshje me një korporatë mediatike të palës së tretë që pretendohet se kishte të drejta licencimi për dokumentarin jashtë MB-së. BBC ende nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve, as kompania me marrëveshjen e pretenduar të shpërndarjes.

Padia gjithashtu pretendon se njerëz në Florida mund ta kenë aksesuar programin duke përdorur një VPN ose përmes shërbimit të transmetimit BritBox.

“Publiciteti i Dokumentarit Panorama, i shoqëruar me rritje të ndjeshme të përdorimit të VPN-ve në Florida që nga debutimi i tij, e bën shumë të mundshme që qytetarë të Floridës ta kenë aksesuar Dokumentarin para se BBC ta hiqte”, thuhet në padi.

Udhëheqësi i Liberal Demokratëve, Sir Ed Davey, i ka bërë thirrje kryeministrit t’i thotë Trumpit se vendimi i tij për të paditur BBC-në është “i papranueshëm”.

“Keir Starmer duhet të qëndrojë në mbrojtje të BBC-së kundër kërcënimit të tepruar ligjor të Trumpit dhe të mbrojë paguesit e tarifës së licencës nga goditja në xhep”, tha ai./rtklive