Arrestohen gjashtë persona në Obiliq për dëmtim të varrezave, pesë prej tyre të mitur

Policia e Kosovës ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për veprën penale “dëmtim i varrezave apo kufomave” në komunën e Obiliqit.

Sipas raportit policor, rasti ka ndodhur më 13 dhjetor 2025 në fshatin Plemetin. Pas veprimeve hetimore të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Obiliq, është arritur identifikimi dhe arrestimi i gjashtë personave të dyshuar, prej të cilëve pesë janë të mitur.

Policia njofton se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të dyshuarit kanë qenë të përfshirë në këtë rast. Me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim, ndërsa autoritetet policore bëjnë të ditur se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.