Diplomati rus: Jemi në prag të një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë

 

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha në një intervistë me kanalin amerikan ABC se beson që palët ndërluftuese janë “në prag” të një zgjidhjeje diplomatike që do t’i jepte fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Jemi gati të arrijmë një marrëveshje”, tha Ryabkov, duke iu referuar qeverisë së Presidentit rus Vladimir Putin. Ai shtoi se shpresonte që një marrëveshje të arrihej “sa më shpejt të jetë e mundur”. 

Komentet e tij vijnë ndërsa zyrtarët e administratës amerikane sinjalizuan të hënën se një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës mund të jetë më afër se kurrë. Duke folur me gazetarët në kushte anonimiteti, ata thanë se “fjalë për fjalë 90 përqind” e çështjeve të pazgjidhura midis dy palëve ndërluftuese tashmë janë zgjidhur.

Pavarësisht tonit optimist, Ryabkov përsëriti kërkesat e hershme të Moskës që Kievi i hedh poshtë si të papranueshme në çdo marrëveshje paqeje. /Klankosova