Amorim pranon kritikat, por thotë se klubi po gjykohet pa i ditur rrethanat

Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, ka pranuar kritikat që po i vijnë nga ish-lojtarët e klubit, por ka theksuar se ekipi po vlerësohet pa u njohur të gjitha rrethanat.

United aktualisht renditet në vendin e tetë në Premier League dhe ka vetëm dy fitore në gjashtë ndeshjet e fundit.

Ish-mesfushori Paul Scholes ka deklaruar se Amorim nuk është njeriu i duhur për ta drejtuar klubin, duke thënë se ai nuk e kupton Manchester United.

I pyetur për këto komente, Amorim ka thënë se problemi kryesor është mungesa e rezultateve.

“Nëse fitoj, gjithçka është në rregull. Problemi është se nuk po fitojmë. Si trajner i Manchester United, nuk po bëj mjaftueshëm mirë dhe këtë e pranoj. Ne po nënperformojmë dhe duhet të kishim më shumë pikë, sidomos këtë sezon”, është shprehur Amorim para ndeshjes të së hënës kundër Bournemouth.

Ai ka shtuar se ish-lojtarët e shohin klubin me standardet e kohës kur ata ishin pjesë e tij, kur Manchester United fitonte vazhdimisht, dhe për këtë arsye e kanë të vështirë ta pranojnë situatën aktuale.

Scholes ka kritikuar gjithashtu trajtimin e talentit të akademisë, Kobbie Mainoo. Njëzet vjeçari ka luajtur kryesisht si zëvendësues këtë sezon, ndërsa paraqitja e vetme nga fillimi ka qenë në gusht, në humbjen e United në Kupën e Ligës ndaj Grimsby Town.

Amorim ka thënë se do ta kuptonte nëse Mainoo do të kërkonte huazim në afatin kalimtar të janarit. “Unë dua që lojtarët e mi të jenë të lumtur. Nëse Kobbie vjen të flasë me mua për këtë, do të jem i hapur. Frustrimi nuk i ndihmon askujt”, ka theksuar trajneri portugez.

Fokusi i United, sipas Amorimit, mbetet ndeshja e radhës në kampionat ndaj Bournemouth.