8-vjeçarja që vdiq i ishte nënshtruar operimit për heqjen e zorrës qorre, komplikimet erdhën pas

Mjeku kujdestar i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë ka dhënë detaje të reja për rastin e 8-vjeçares që u pranua pa shenja jete, duke u bazuar në informacionet e dhëna nga familjarët.

Sipas mjekut, nga sa është mësuar, vajza kishte qenë duke u trajtuar për një problem akut shëndetësor ditët para ngjarjes. Ai bëri të ditur se, sipas prindërve, 8-vjeçarja kishte pasur të vjella dhe barkqitje.

“Na kanë thënë se gjatë daljes prej shtëpisë ka vjellë, madje edhe gjatë rrugës, duke u futur në makinë”, ka deklaruar mjeku për T7.

Po ashtu, sipas tij, prindërit kanë përmendur se vajza kishte pasur edhe një procedurë invazive më herët, konkretisht heqjen e zorrës qorre, por nuk kanë qenë në gjendje të flasin saktësisht se kur kishte ndodhur operacioni.

Mjeku theksoi se koha dhe rrethanat e ndërhyrjes do të sqarohen përmes raportit të mjekësisë ligjore, i cili, sipas tij, “e dëshmon më së miri gjendjen shëndetësore dhe procedurat e mëhershme”.

Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente, ndërsa pritet raporti zyrtar për të hedhur dritë të plotë mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.