Kristo Luarasi, patrioti i shquar i Rilindjes Kombëtare
49 vjet më parë lindi Kristo Luarasi, veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
Kristo Luarasi u veçua si një ndër patriotët e shquar të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe asaj të pas shpalljes së Pavarësisë, të cilët gjithë jetën e tyre e vunë në shërbim të çështjes kombëtare duke mos kursyer asgjë. Luarasi kontribuoi në përhapjen e arsimit dhe gjuhës shqipe, promovoi shtypin dhe botimet kombëtare, dhe mbështeti përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë
Kristo Luarasi lindi në Luaras të Kolonjës dhe veprimtarinë atdhetare e filloi në vitet ’90 të shekullit XIX. Gjatë viteve 1892–1894 punoi si mësues i gjuhës shqipe në një nga shkollat e para shqipe, të hapur në Luaras nga Petro Nini Luarasi. Në vitin 1894, i ndjekur nga autoritetet osmane dhe Patriarkana greke, mërgoi në Bukuresht e më pas në Sofje, ku u angazhua në veprimtarinë e shoqërisë “Dëshira”.
Me ndihmën e kësaj shoqërie, ai dhe Kostë Trebicka themeluan shtypshkronjën “Mbrothësia”, ku botuan libra shkollorë, vepra rilindësish dhe gazeta. Në vitin 1907 bashkëpunoi me Bajo dhe Çerçiz Topullin për përgatitjen e çetave të armatosura dhe botoi për herë të parë veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e çdo të bëhet”.
Përmes gazetës “Liri e Shqipërisë” mbështeti kryengritjet e viteve 1911–1912 dhe në nëntor 1912 punoi në kolonitë shqiptare të mërgimit për përgatitjen e Kuvendit të Vlorës dhe Shpalljes së Pavarësisë. Pas vitit 1920 u vendos në Tiranë, ku vazhdoi veprimtarinë botuese dhe kulturore. Ndërroi jetë më 1934, në Tiranë./atsh