Ukraina pranon kompromis për NATO-n, por jo për territorin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të dielën se është i gatshëm të heqë dorë nga përpjekja e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO në këmbim të garancive të sigurisë nga Perëndimi, por hodhi poshtë presionin e Shteteve të Bashkuara për t’i lëshuar territore Rusisë, teksa zhvillonte bisedime me të dërguarit amerikanë për përfundimin e luftës.
Zelenskyy u takua me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner. Udhëheqësi ukrainas publikoi fotografi nga tryeza e negociatave, ku shihej kancelari gjerman Friedrich Merz i ulur pranë tij, përballë delegacionit amerikan, raporton AP.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përmes mesazheve audio në një grup WhatsApp para nisjes së bisedimeve, Zelenskyy tha se, meqenëse SHBA-ja dhe disa vende evropiane kanë refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO, Kievi pret që Perëndimi të ofrojë një paketë garancish të sigurisë të ngjashme me ato që u ofrohen vendeve anëtare të aleancës.
“Këto garanci sigurie janë një mundësi për të parandaluar një valë tjetër agresioni rus”, tha ai. “Dhe kjo tashmë është një kompromis nga ana jonë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka paraqitur synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO si një kërcënim madhor për sigurinë e Moskës dhe si arsye për nisjen e pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022. Kremlini ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambicia për anëtarësim në aleancë si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme paqeje./rtk