Protestojnë banorët e Tenezhdollit, kërkojnë ndërtimin e një rrethrrotullimi (foto)

Banorët e fshatit Tenezhdoll përgjatë rrugës Prishtinë–Podujevë, kanë protestuar sot për të kërkuar ndërtimin e një rrethrrotullimi, mungesa e të cilit, sipas tyre, po u shkakton vështirësi serioze dhe rrezik në komunikacion.

Për Klankosova.tv ata kanë bërë të ditur se mbi 100 banorë kanë nënshkruar një peticion, i cili i është dërguar Ministrisë së Infrastrukturës, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë veprim nga ana e këtij institucioni.

Sipas banorëve, për të realizuar hyrje-daljen në rrugën kryesore, ata detyrohen të kalojnë korsitë e komunikacionit, gjë që paraqet rrezik të vazhdueshëm për aksidente, derisa kanë theksuar se janë të gatshëm të kontribuojnë edhe financiarisht për ndërtimin e rrethrrotullimit, vetëm për t’i ikur rrezikut që u kanoset.

Banorët kanë paralajmëruar se nëse nuk ka zgjidhje institucionale, protestat do të vazhdojnë dhe mund të mos jenë më paqësore. Sipas tyre, ekziston edhe mundësia që të ndërmarrin veprime vetë, përfshirë heqjen e barrierave metalike.