Faton Peci betohet si kryetar i ri i Komunës së Mitrovicës
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur sot mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, ku Faton Peci ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Mbledhja është udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë kanë bërë betimin solemn edhe 30 anëtarët e rinj të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Pas betimit, kryetari Peci u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë nga qytetarët e Mitrovicës, duke theksuar peshën e madhe të përgjegjësisë që merr përsipër.
“Mitrovica, ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes e mosdorëzimit, këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm. Përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin, me apo pa protokoll”, deklaroi Peci.
Ai shtoi se do të punojë “me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi”, duke apeluar për dashuri dhe përkushtim ndaj qytetit.
“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha kryetari i ri.
Pas ceremonisë së betimit, është kryer edhe dorëzimi zyrtar i detyrës, ku Faton Peci ka pranuar postin nga ish-kryetari Bedri Hamza, duke shënuar kështu fillimin e mandatit të tij si udhëheqës i Komunës së Mitrovicës.