Vuçiqi për Kroacinë: Po armatoset shpejt, por ne jemi shumë përpara
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të premten, duke komentuar marrëveshjen e Kroacisë me Gjermaninë për blerjen e tankeve “Leopard”, se ekziston një kërkesë e përgjithshme për armë në rajon, Evropë dhe botë dhe se Kroacia po “armatoset me një shpejtësi dramatike”.
Vuçiqi tha gjatë një vizite në Nish se Serbia e di se çfarë duhet të bëjë për të ruajtur paqen në rrethana të tilla.
“Ushtria kroate është një forcë jashtëzakonisht e fortë dhe e respektueshme në rajon, që po armatoset me një ritëm dramatik. Nuk na pëlqen të flasim shumë, por e dimë se çfarë duhet të bëjmë për të qenë një ‘arrë e fortë’ për të gjithë ata që bëjnë aleanca ushtarake pa parime në rajon dhe në mënyrë që të kemi gjithmonë atë lloj efekti dhe veprimi parandalues edhe në mënyrë që të ruajmë paqen për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të anashkalojmë konfliktet njëherë e përgjithmonë”, u tha Vuçiqi gazetarëve në Nish, siç raporton mediumi kroat index.hr.
Vuçiqi pretendoi se situata në ushtrinë serbe është “e pakrahasueshme me atë që ishte 10 vjet më parë”.
Kur u pyet nëse Serbia është e krahasueshme me vendet e rajonit për sa u përket armëve, Vuçiqi tha: “Ne jemi shumë përpara konkurrencës, thjesht qëllimet tona janë më të larta se konkurrenca”, citohet të ketë thënë Vuçiqi.