APK-ja mbyll “Javën e Integritetit”, theksohet roli i sinjalizuesve në sektorin publik dhe privat

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), në bashkëpunim me Forumin Konsultativ me Shoqërinë Civile, ka mbyllur “Javën e Integritetit”. Në këtë tryezë u diskutua për sinjalizuesit në sektorin publik dhe privat.

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, theksoi rëndësinë e sinjalizuesit.

 “Jemi mbledhur këtu, në këtë ditë të pestë dhe të fundit të ‘Javës së Integritetit’, një platformë e themeluar mbi besimin dhe dialogun e hapur. Kemi kaluar katër ditë intensive duke trajtuar shtyllat themelore të shtetit tonë. Kemi diskutuar për Planet e Integritetit si mjet për organizimin e brendshëm, për luftën kundër korrupsionit në Prokurimin Publik si mbrojtje e parasë së taksapaguesve, kemi analizuar etikën e dhuratave dhe kemi mbrojtur Arsimin e Lartë nga konflikti i interesit. Këto tema nuk janë të shkëputura nga njëra-tjetra; ato formojnë një zotim të vetëm: zotimin e Kosovës për të ndërtuar një administratë funksionale, të ndershme dhe evropiane. Sot, ne arrijmë te tema e cila, sipas modelit të përbashkët evropian, është thelbësore: sinjalizimi në sektorin publik dhe privat. Nëse shikojmë procesin tonë të integrimit, parandalimi i korrupsionit është vazhdimisht në krye të agjendës. Dhe pse? Sepse vetë Bashkimi Evropian bazohet në vlera të përbashkëta: besim, transparencë dhe sundim të ligjit. Sinjalizuesi është mbrojtësi praktik i këtyre vlerave. Sinjalizuesi, apo siç e njohim ne, ‘whistleblower’, nuk është thjesht një detektiv; ai është një dëshmitar i guximshëm që shfrytëzon të drejtën ligjore për të mbrojtur interesin kolektiv. Akti i tij/saj nuk është tradhti ndaj institucionit, por akti më i lartë i besnikërisë ndaj detyrës, ligjit dhe qytetarëve. Ai është alarmi që na mbron të gjithëve. Shumë shpesh, fokusi bie te abuzimet në sektorin publik, por duhet të jemi të qartë: integriteti është i pandashëm. Korrupsioni në njërën anë ushqen korrupsionin në tjetrën. Për këtë arsye, mbrojtja e sinjalizuesve në sektorin privat është po aq kritike. Sinjalizimi në ministri, agjenci apo komuna siguron që paratë publike të mos devijohen, që shërbimet të mos tregtohen dhe që nepotizmi të luftohet. Kjo është thelbësore për kthimin e besimit të qytetarëve te qeverisja. Në sektorin privat, sinjalizuesit luajnë një rol jetik për shëndetin e tregut tonë. Shembujt janë të qartë: një punonjës që sinjalizon falsifikimin e produkteve ushqimore apo shkeljet e sigurisë në ndërtim mbron drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin publik; një zyrtar që raporton mashtrimin tatimor apo skemat e shmangies së detyrimeve mbron konkurrencën e ndershme për të gjitha bizneset e tjera që punojnë me ndershmëri; një ekonomist në një kompani që flet për keqmenaxhim apo pastrim parash ndihmon në ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit. Duke mbrojtur sinjalizuesit në sektorin privat, ne mbrojmë klimën e investimeve, standardet ndërkombëtare të biznesit dhe, në fund të fundit, ekonominë e Republikës së Kosovës”, tha Buleshkaj.

Ndërsa Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim në APK, Milot Shala, tha se sektori publik duhet të merret shembull nga sektori privat për caktimin e një zyrtari që merret me sinjalizuesit.

“Nga përbërja e panelit po e kuptoj se i kushtohet rëndësi më shumë sektorit privat, dhe me të drejtë. Do të filloj me sektorin publik, duke përmbledhur aktivitetet e mira që kemi realizuar. Kemi filluar vitin e kaluar dhe sivjet, dhe kemi pasur më shumë raste sesa vjet; këtë vit i kemi dyfishuar rastet e vitit të kaluar dhe është një hap i mirë. Po e them me shpresë që mekanizmi është shfrytëzuar në mënyrë të duhur. Te kanalet e qarta ose standardet minimale që një institucion duhet t’i ketë, unë po besoj që shembull janë institucionet publike që janë këtu: kanë përzgjedhur zyrtarë të duhur dhe të përgjegjshëm, kanë krijuar mundësi për të aplikuar secili brenda institucionit të vet, dhe këto janë standardet që çdo institucion duhet t’i plotësojë. Po besoj që sektori privat duhet ta marrë shembull sektorin publik, të paktën për krijimin e këtyre kanaleve. Fillimisht të krijohet një zyrtar e pastaj mund të pritet që do të ketë raste prej tyre. Si funksion, ka pasur vështirësi fillimisht: ka pasur hezitim për caktim, mandej dilema se kë duhet caktuar, dhe ka qenë sfidë edhe në sektorin publik”, tha Shala.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna tha se duhet kuptuar puna e sinjalizuesve në sektorin privat pasi Kosova është shtet në zhvillim të bizneseve.

“Kënaqësi të jem sot këtu me ju, dhe kur pashë ftesën për sinjalizuesit në sektorin privat, mu duk interesante, sepse as brenda Odës Ekonomike nuk kemi pasur mundësi ta trajtojmë këtë temë dhe pranova të jem këtu. Është diçka e re. Puna e sinjalizuesve në sektorin privat duhet mirëkuptuar, sepse jemi një shtet në zhvillim e sipër të bizneseve dhe riorganizimit të bizneseve. Oda Ekonomike, si më e vjetra që tani do të festojë 64-vjetorin, gjithmonë ka qenë në krah të bizneseve për t’i mbështetur ato, për t’i plotësuar standardet dhe për të krijuar standarde dhe kjo nuk do të arrihej pa punën e sinjalizuesve, qoftë në sektorin publik apo privat. Ju e dini që biznesi çdo ditë ka punë me sektorin publik, dhe një institucion publik me integritet është baza e një konkurrence të drejtë dhe baza e investimeve të huaja. Për këtë arsye jam i lumtur që po dëgjoj që sektori publik ka avancuar shumë, dhe këtë përvojë e kam edhe nga ish-pozitat e mia publike që kam pasur. Por kjo duhet të jetë edhe në sektorin privat dhe po e shoh se kjo frymë është duke ardhur. Pse po e vërej këtë? Sepse shumë biznese kanë avancuar dhe sot eksportojnë mallra në shtetet e jashtme”, tha ai. /eo