Dogana dhe policia konfiskojnë mbi 250 kg duhan dhe 1200 kg mjaltë në Prishtinë

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten në Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Sektori i Hetimeve të Policisë Kufitare në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme - ka kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbër në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar duhan i grirë, mjaltë e filtera cigaresh, raporton Zeri.info.

“Gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar si më poshtë: duhan i grirë (refuz) - 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola; mjaltë - 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa asnjë mbishkrim; filtera cigaresh - 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë. /Zëri