“Kënaqësi të shënosh sërish në Rumani”, Albion Rrahmani flet pas golit të radhës me Sparta Pragën
Qendërsulmuesi Albion Rrahmani e ka rifituar besimin plotësisht te Sparta Praga, ndërsa shënoi për të tretën ndeshje radhazi. Këtë herë në fitoren ndaj klubit rumun Universitatea Craiova.
Pasi mori një pasim të bukur, Rrahmani me një finalizim fantastik ia tundi rrjetën Craiovas, me Spartën që në fund arkëtoi pikët e plota me rezultat 1-2 (VIDEO).
Pas ndeshjes, ylli i Kosovës u shpreh i lumtur me golin e shënuar sidomos pasi ishte në Rumani, aty ku kaloi dy sezone fantastike te Rapid Bukureshti.
“Është mirë të shënosh sërish në Rumani. Jam i lumtur për tre pikët. Ishte ndeshje e vështirë, Craiova luajti futboll të mirë dhe luftoi shumë. Ishte lojë e mirë”.
“Ndjeja se do të shënoja. Do të doja të luaja më shumë, por trajneri ndoshta ka menduar se do të luaja prapa pas tre ditëve. Shpresoj ta ndihmoj skuadrën edhe të dielën gjithashtu. Është ndjenjë e veçantë të luash në Evropë, kemi edhe një ndeshje dhe duhet të japim 100 për qind”.
Rrahmani ndër të tjera mori edhe një fanellë të re të ish klubit Rapid Bukuresht si dhuratë, për të cilën deklaroi: “Është e re dhe më pëlqen. Ndoshta në të ardhmen do ta vesh sërish, do të doja”.
“Kur isha te Rapidi dhashë më të mirën, por kush e di se çfarë e ardhmja mban? Shpresoj që të fitojnë diçka këtë sezon dhe shumë suksese”, nënvizoi ai.
Sparta Praga përndryshe zë pozitën e gjashtë me 10 pikë, tre më pak se lideri Strasbourg.