Kamioni me beton godet për vdekje një person në Prizren
Një aksident me fatalitet ka ndodhur pak më parë në Prizren, ku një kamion me beton ka goditur për vdekje një këmbësor.
Rasti ka ndodhur derisa shoferi i kamionit me beton ka lëvizur prapa dhe ka goditur këmbësorin, i cili nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe ka vdekur.
Sipas lexuesit të Zeri.info, Leard Morina i cili ka qëlluar në vendngjarje, aty gjenden policia dhe autoambulanca.
Rastin për Zeri.info e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Sot me datën 11.12.2025, rreth orës 13:00, është raportuar për një aksident trafiku. Sipas të dhënave fillestare, në lagjen Lakuriq në Prizren, një kamion betoni, teksa ishte duke lëvizur në afësi të punishtes, nuk e ka vërejtur këmbësoren, një grua rreth 55-vjeçare, dhe e ka goditur me mjet”, tha Bytyqi.
Sipas tij, shërbimi i urgjencës është njoftuar menjëherë dhe mjekët në vendngjarje kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
“Policia ka dalë në vendngjarje, ndërsa i dyshuari është ndaluar në stacionin policor. Në bashkërendim me prokurorin e shtetit po ndërmerren të gjitha veprimet e domosdoshme ligjore për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Bytyqi. /Zëri
. /Zëri