Prenkaj: Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen pas formimit të qeverisë së re
Ish-ambasadori Albert Prenkaj ka deklaruar se heqja e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës do të mund të ndodhë menjëherë pasi të konstituohet ekzekutivi i ri i dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ai ka theksuar se masat janë rezultat i, siç u shpreh, “kokfortësisë dhe moskoordinimit” të Qeverisë Kurti 2 me aleatët ndërkombëtarë.
“Kosova ka marrë këto sanksione nga BE-ja, por edhe nga SHBA-të, e cila siç dihet ka ndërprerë dialogun strategjik dhe ka vendosur vija të kuqe për Albin Kurtin. Sanksionet janë të padrejta, por shkaku është i njohur: kokfortësia dhe moskoordinimi i Qeverisë Kurti 2 me miqtë ndërkombëtarë, pra me BE-në dhe SHBA-të, ka bërë që këto masa t’i vendosen Kosovës. Unë besoj se sanksionet do të hiqen, ashtu siç paralajmërojnë dhe kërkojnë miqtë tanë, sapo të formohet qeveria e re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit”, ka thënë ai.
Prenkaj është shprehur se qeveria e ardhshme duhet të veprojë shpejt me dërgimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, në mënyrë që dokumenti të pastrohet nga pikat jokushtetuese dhe të përgatitet për miratim.
“Ky hap do t’i mundësonte Kosovës të aplikojë menjëherë në Këshillin e Evropës dhe në institucione të tjera ndërkombëtare”, ka theksuar ai, duke shtuar se përmes këtij procesi vendi do të rikthehej fuqishëm në arenën ndërkombëtare./teve1