Kosova përfshihet në legjislacionin kyç të sigurisë amerikane, Bislimi: Mesazh i qartë i SHBA-së

Veprimtari dhe lobisti shqiptar në SHBA, Faton Bislimi, ka bërë të ditur se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës janë zyrtarizuar përmes përfshirjes së tyre në draftligjin NDAA 2026 (Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare), një nga ligjet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare në SHBA.

Sipas Bislimit, drafti i NDAA-së, i cili ka kaluar në Senat dhe pritet të votohet edhe në Dhomën e Përfaqësuesve para se të dërgohet për dekretim në Zyrën Ovale, përmban një seksion të posaçëm që përcakton qartë politikën amerikane për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Kosovën.

“Qëndrimet e Amerikës me interes për Kosovë janë kodifikuar me Ligjin NDAA 2026”, u shpreh Bislimi.

Ai tha se draftligji, me mbi 3000 faqe, përfshin çështje kyçe të sigurisë amerikane, nga pajisjet ushtarake e deri te strategjitë mbrojtëse, por për herë të parë është përfshirë edhe një seksion që kodifikon me ligj politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës.

Sipas Bislimit, NDAA 2026 përcakton se: “SHBA-ja përkrah Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit në rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE, SHBA-ja përkrah dialogun Kosovë–Serbi të bazuar në njohje reciproke dhe SHBA-ja nuk përkrah ndryshim kufijsh, ndarje apo shkëmbim territoresh sipas vijave etnike”.

Bislimi e ka cilësuar këtë zhvillim si shumë të rëndësishëm për vendin.

“Ky është një lajm fantastik! Jam më shumë se krenar të shoh që mundi i shumë organizatave të komunitetit tonë në SHBA dhe përpjekjet tona të pareshtura për të ndihmuar Kosovën po japin rezultate”, ka shkruar Bislimi.

Ai theksoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet i palëkundur.

“Kosova asnjëherë s’ka humbë krah Amerikës. Angazhimi im vazhdon edhe më fuqishëm për ta bërë Kosovën të fuqishme, demokratike dhe të zhvilluar”, tha Bislimi.