Oficeri i FSK-së diplomon në SHBA, shpërblehet me “Medalje për Arritje Ushtarake”
Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kapiteni Ymërdin Hasani, ka diplomuar me sukses në Kursin e Çështjeve Civile në Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Qendrën dhe shkollën e luftës speciale “John F. Kennedy” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç njofton FSK-ja, gjatë trajnimit, Kapiten Hasani është vlerësuar për rezultatet e larta dhe është nderuar me Medaljen për Arritje Ushtarake, një shpërblim që u jepet pjesëtarëve të cilët shfaqin performancë të jashtëzakonshme gjatë programeve të specializuara.
Ky kurs përqendrohet në përgatitjen e oficerëve për bashkëpunim me komunitete lokale, vlerësim të nevojave civile dhe koordinim të projekteve që kontribuojnë në stabilitetin dhe zhvillimin e zonave operacionale.
Përmes këtij trajnimi, kapiten Hasani ka fituar njohuri të avancuara në menaxhimin e situatave civile, bashkëpunimin me institucionet vendore dhe organizatat partnere, si dhe në forcimin e ndërveprimit ndërmjet forcave ushtarake dhe popullsisë civile.
Sipas FSK-së, ai do t’i kthejë këto njohuri në shërbim të vendit, duke kontribuuar në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Çështjeve Civile brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.