Pantone zgjedh të bardhën si ngjyrën e vitit 2026, elegancë dhe qetësi

Instituti i Ngjyrave Pantone ka zgjedhur të bardhën e ngrohtë, një nuancë të butë dhe të ekuilibruar të së bardhës, si Ngjyrën e Vitit 2026. E përshkruar si një e bardhë e valëzuar që sjell qetësi dhe reflektim, kjo ngjyrë simbolizon fillime të reja.

Leatrice Eiseman, drejtoreshë ekzekutive e institutit, theksoi se e bardha e ngrohtë ka një efekt qetësues në shoqërinë moderne dhe përfaqëson dëshirën kolektive për një rifillim. Laurie Pressman, nënkryetare e institutit, shtoi se “zgjedhja e ngjyrës së vitit lidhet ngushtë me kontekstin kulturor, politik dhe të modës, duke reflektuar mënyrën se si bota shprehet përmes ngjyrave”.

Nuanca u zgjodh me kujdes për balancën e saj mes tonëve të ngrohtë dhe të ftohtë, duke shmangur një të bardhë tepër sterile. Ngjyra e bardhë e ngrohtë lidhet fort me silueta të valëzuara dhe materialet natyrale, gjë që tashmë është reflektuar në modën e vitit.

Në thelb, e bardha e ngrohtë përfaqëson qetësi, autenticitet dhe një dëshirë të thellë për harmoni dhe rinisje në vitin 2026./rtsh