Agim Veliu reagon ashpër ndaj LDK-së pasi nuk u përfshi në listën e kandidatëve për deputetë
Ish-deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të partisë për të mos e përfshirë në listën e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar këtë veprim si “një padrejtësi të pashembullt” dhe “manovër të ulët”.
Në një deklaratë drejtuar “qëndrestarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve”, Veliu falënderoi qytetarët dhe aktivistët që, sipas tij, kanë kërkuar publikisht përfshirjen e tij në listë, për të fuqizuar degën e LDK-së në Podujevë dhe partinë në nivel qendror.
“Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime,” u shpreh ai.Veliu deklaroi se përjashtimi i tij nuk është vendim politik, por “manovër e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që kanë harruar kush e ka mbajtur LDK-në fituese për vite me radhë”.
Duke e cilësuar veten si një figurë me “fuqi elektorale dhe integritet të dëshmuar”, ai akuzoi zyrtarë të partisë për frikë dhe përpjekje për ta margjinalizuar: “Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua, por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur.”
Në fund, Veliu paralajmëroi se nuk do të tërhiqet dhe se do të kërkojë transparencë e drejtësi deri në fund.
“Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare. Ky është vetëm fillimi,” deklaroi ai.