Zyrtarizohen numrat në fletëvotim, vijnë reagimet e para nga partitë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka përfunduar procesin e hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas shortit të hedhur ku morën pjesë përfaqësuesit e subjekteve politike, Lëvizja Vetëvendosje do të garoj me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 130, Lidhja Demokratike e Kosovës me numrin 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 129 dhe Nisma Socialdemokrate me numrin 122.

Menjëherë pas zyrtarizimit të këtyre numrave kanë ardhur edhe reagimet e para nga subjektet e lartpërmendura.

Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar se “116 është numri i fitores edhe më të madhe që na duhet dhe e synojmë me ndihmën e të gjithë qytetarëve”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka shkruar se 130 është numri i bashkimit për Kosovën.

“Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë. 130 është numri i fitores!”, ka shkruar Hamza.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se slogani i LDK-së është “Zgjedh shpresën! 123 është numri ynë”.

Ndërkaq reagimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ishte i thjeshtë. “129 krah teje” ka shkruar Haradinaj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen më 28 dhjetor, pasi për partitë politike të Kosovës ishte e pamundshme që të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjëra parti nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.