Ndahet nga jeta arkitekti që transformoi Bilbao-n dhe botën e artit

Arkitekti i famshëm Frank Gehry, një nga figurat më me ndikim të shekullit të fundit, ka ndërruar jetë sot, 6 dhjetor, në moshën 96-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga shefja e tij e kabinetit, Meaghan Lloyd, raportojnë mediat e huaja.

Gehry u bë i njohur botërisht për stilin e tij modern dhe qasjen eksperimentale, me vepra që sfidonin rregullat tradicionale të arkitekturës. Shkëlqimi i tij ndërkombëtar erdhi në vitin 1997 me Muzeun Guggenheim në Bilbao të Spanjës, një strukturë titaniumi që u kthye në simbol të modernizmit dhe ringjalljes urbane, fenomen që më vonë u quajt “Efekti Bilbao”.

I lindur në Toronto në vitin 1929, ai u zhvendos në Los Angeles në adoleshencë dhe studioi arkitekturë në Universitetin e Kalifornisë, e më pas në Harvard. Qysh herët në karrierë u dallua për përdorimin e formave të çrregullta, materialeve të papërfunduara dhe strukturave që ngjanin më shumë me skulptura sesa me ndërtesa, stil që më vonë u identifikua si de-konstruktivizëm (rrymë moderne e arkitekturës, kur shmanget simetria).

Gehry ishte një nga arkitektët e parë që përdori modelimin 3D të avancuar, teknologji që zakonisht përdoret në industrinë ajrore, për t’i dhënë formë ndërtesave me kurba komplekse.

Në vitin 1989 u nderua me çmimin më prestigjioz të arkitekturës, Pritzker Prize, ku u vlerësua për “estetikën e sofistikuar dhe frymën e guximshme artistike”.

Përveç Guggenheim-it në Bilbao, ai la gjurmë në shumë qytete të botës si:

- Walt Disney Concert Hall në Los Angeles

- Dancing House në Pragë

- Fondation Louis Vuitton në Paris, si dhe struktura të tjera ikonike në Gjermani, Spanjë, Australi dhe SHBA.

Stili i tij, i paparashikueshëm,, solli vlerësime dhe kritika në të njëjtën masë, por gjithmonë tërhoqi vëmendje. Ai personalisht e përqafonte këtë. “Të paktën po shikojnë“, pati thënë dikur për kritikët.

Autorë, arkitektë dhe liderë botërorë kanë nderuar sot trashëgiminë e tij. Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, e quajti Gehry-n “një vizionar të pakrahasueshëm”, ndërsa Muzeu Guggenheim në Bilbao publikoi një video-homazh duke theksuar se “shpirti dhe trashëgimia e tij do të mbeten përgjithmonë të lidhura me qytetin”.

Frank Gehry la pas bashkëshorten e tij, Berta Isabel Aguilera, dy vajzat nga martesa e parë dhe dy djemtë nga martesa e dytë. /oranews