Abdixhiku: Kosova vendi më i varfër në Evropë, po i afrohet importit të rrymës në 1 miliard euro
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj, siç e quan ai, skandalit të madh të mafias energjetike në vend, duke vlerësuar rolin e dy deputeteve të LDK-së në zbardhjen e kësaj çështjeje.
Në një postim publik, Abdixhiku tha se ndërsa “të tjerët merren me tema krejtësisht të parëndësishme për vendin”, dy figura të rëndësishme të partisë, Hykmete Bajrami dhe Janina Ymeri, po merren me problemet reale që po prekin ekonominë e Kosovës. Sipas tij, në konferencën e sotme për media, ato kanë shpalosur në mënyrë të qartë “skandalin e madh energjetik” që po trondit vendin.
Abdixhiku theksoi se ky skandal po gërryen themelet ekonomike të Republikës së Kosovës dhe duhet të jetë shqetësimi kryesor i politikës, jo “fyerjet që nuk sjellin asgjë”.
Sipas të dhënave të prezantuara, gjatë pesë viteve të fundit Kosova ka importuar 811 milionë euro energji elektrike, ndërsa vetëm në vitin 2025 janë shpenzuar 247 milionë euro për blerjen e rrymës. Importi total po i afrohet shifrës 1 miliard euro, në një vend që mbetet ndër më të varfrit në Evropë.
“Një miliard euro që mund të ishin investuar në zhvillim, në prodhim, në shëndetësi, në bujqësi, në paga të mësimdhënësve dhe mjekëve,” shkroi Abdixhiku, duke akuzuar se këto para kanë përfunduar në “një skemë të errët, të pafalshme, nga e cila fiton mafia energjetike e humb qytetari i Kosovës”.
Ai tha se LDK po e ngre këtë çështje me guxim dhe po e mbron interesin publik.
“Sepse Kosova meriton dritë, jo errësirën e aferave të tyre”, përfundoi Abdixhiku./Zëri