Arrestohet hajni i këpucëve në Ferizaj, lirohet pas intervistimit

Të enjten (04.12.2025), në stacionin policor në Ferizaj janë raportuar dy raste të vjedhjes në këtë qytet.

Rreth orës 20:04, në rrugën “Zenel Hajdini”, në një market, është raportuar vjedhja e disa artikujve ushqimorë. Ndërsa rreth orës 21:00, në rrugën “Lulzim Guta”, brenda oborrit të një shtëpie, është raportuar vjedhja e disa palë këpucëve.

Ndërkaq po të enjten, rreth orës 21:20, njësitet policore kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin N.A. (31 vjeç), i cili pas intervistimit në Njësinë e Hetimeve, ka pranuar kryerjen e të dy rasteve të sipërpërmendura.

“Bazuar në provat, video-inçizimet dhe mënyrën e kryerjes së veprave, i dyshuari është intervistuar edhe për dy raste të tjera të vjedhjes të ndodhura më herët: Më 15.10.2025, në rrugën ‘Esat Mekuli’, kishte vjedhur disa palë këpucë; Më 31.10.2025, në rrugën ‘Dëshmorët e Kombit’, në Xhaminë e Madhe në Ferizaj, kishte vjedhur pajisje elektronike të zërimit dhe këpucë”.

“Edhe për këto raste, i dyshuari ka pranuar përgjegjësinë”, ka njoftuar Policia.

Pas intervistimit nga hetuesit policorë dhe me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet lidhur me rastet vazhdojnë.