Shtyhet gjykimi për Ilir Metën, seanca e radhës më 22 dhjetor

Është shtyrë gjykimi për Ilir Metën, seanca e radhës u caktua më 22 dhjetor. Shkak është bërë mungesa e njohjes së Metës me fashikujt.

Ndërkohë në seancën e kësaj të  premteje që u mbajt në GJKKO, ku pritej të shihej nëse trupa gjykuese do e kalonte dosjen për gjykim apo do e rikthente për hetime të mëtejshme, ishte i pranishëm edhe vetë Ilir Meta.

Kujtojmë se Ilir Meta ndodhet në burg që nga tetori i vitit 2024, ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi është nën masën “detyrim paraqitje”.

Çështja penale përveç Metës dhe Kryemadhit përfshin dhe tre persona të tjerë. Ata përballen me akuza që lidhen me korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion të funksionarëve të lartë në bashkëpunim. SPAK ka bashkuar në një dosje tre hetime: aferën CEZ–DIA, lobimin në SHBA dhe verifikimin pasuror. /abcnews