Rizvanolli: Qeveria nuk blen energji, kontratat i kanë vetëm kompanitë private

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është palë në proceset e blerjes së energjisë elektrike, duke theksuar se këtë e bëjnë vetëm operatorët privatë të licencuar, si KEDS dhe KESCO.

Sipas saj, përgjegjësitë për licencimin dhe mbikëqyrjen e tregut të energjisë i takojnë institucioneve të pavarura dhe jo ekzekutivit. Ajo ka theksuar se qeveria nuk posedon kontrata tregtimi të energjisë dhe se këto dokumente i kanë në posedim vetëm kompanitë private dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përcjell Telegrafi.

“Ne si qeveri nuk jemi përgjegjës për licencimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut të energjisë elektrike. Dhe nuk posedojmë kontrata të tregtimit të energjisë të kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë dhe ZRRE-ja”, ka deklaruar ministrja.

Rizvanolli ka bërë të ditur se, për hir të informimit publik, qeveria ka kontaktuar të gjitha palët relevante lidhur me pretendimet për import energjie nga kompania EFT.

Sipas saj, as ndërmarrjet publike, e as ato private, nuk kanë pasur kontrata me këtë kompani gjatë mandatit të qeverisë aktuale.

“KOSTT-i dhe KEK-u kanë konfirmuar që gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër edhe kompanitë private KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar të njëjtën – që nuk kanë pasur kontratë me EFT gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, ka shtuar Rizvanolli.

Për më tepër Rizvanolli tha: “Përkundër kësaj, për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT, në publik janë plasur disa rezultate të ankandeve. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi të blerjeve nga operatorët në Kosovë, e që në fakt nuk janë”.