13-vjeçari ther me thikë një 19-vjeçar, pas një përleshjeje në një shkollë fillore në Prizren

Një 13-vjeçar ka therur me thikë një 19-vjeçar pranë shkollës fillore “Emin Duraku” në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme dhe se i dyshuar për rastin është një 13-vjeçar.

“Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga të dhënat e mbledhura është mësuar se pas një zënke ndërmjet dy të rinjve, njëri prej tyre, mashkull 13-vjeçar, e ka goditur me një mjet të mprehtë viktimën, mashkull 19-vjeçar”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi bëri me dije se i lënduari është dërguar në Ndihmën e Shpejtë të qytetit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

“Për rastin është njoftuar prokurori i Shtetit dhe, në bashkërendim me të, po vazhdojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave”, tha më tej ai.