Gjykata refuzon kërkesën e Besim Kelmendit për masën e sigurisë dhe rikthimin si u.d. të kryeprokurorit të Shtetit

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe për pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, pasi Gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, të parapara në nenet 99 dhe 100 të Ligjit për Konfliktet Administrative.

Përmes përfaqësuesit të tij ligjor, avokatit Flakron Sylejmani, Besim Kelmendi kishte paraqitur padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së, dhe njëkohësisht kishte kërkuar: Pezullimin e zbatimit të këtij vendimi, si masë të përkohshme sigurie dhe rikthimin e tij në detyrën e u.d. të kryeprokurorit të Shtetit, deri në vendosjen meritore dhe përfundimtare të gjykatës.

Kelmendi pretendonte se vendimi i KPK-së ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore, gjatë një takimi të dytë të mbajtur më 20 nëntor. Sipas tij, shkarkimi i tillë i shkaktonte dëm të rëndë, të menjëhershëm dhe të pakthyeshëm, përfshirë dëm reputacional dhe profesional, dhe krijonte pasiguri institucionale në udhëheqjen e Prokurorisë së Shtetit. Ai argumentonte se pezullimi i vendimit nuk cenonte interesin publik, por përkundrazi e mbronte sundimin e ligjit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës i kishte kërkuar gjykatës refuzimin e plotë të masës së përkohshme, duke theksuar se: Pozita e u.d.të kryeprokurorit nuk përbën mandat të garantuar ligjor dhe është funksion i përkohshëm e i zëvendësueshëm; Largimi nga kjo pozitë nuk e cenon statusin profesional të Kelmendit, i cili vazhdon të jetë prokuror i shtetit, pa humbur as të drejtat e punësimit dhe as pagën; Pretendimet për dëm të pakthyeshëm janë subjektive dhe të pabazuara në prova konkrete; Interesi publik kërkon funksionim të qëndrueshëm dhe neutral të Prokurorisë së Shtetit pa ndërhyrje gjyqësore në vendimmarrjen e KPK-së.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se për vendosjen e masës së përkohshme duhet të ekzistojnë dy kushte kumulative: dëmi real, i rëndë dhe i pakthyeshëm për paditësin dhe mungesa e cenimit të interesit publik.

Sipas gjykatës, paditësi nuk arriti të provojë ekzistencën e një dëmi të pakthyeshëm, pasi detyra e u.d. të kryeprokurorit është përkohshme dhe humbja e saj mund të kompensohet juridikisht me vendim përfundimtar – rikthim në pozitë apo kompensim material.

Po ashtu, Gjykata konstaton se pretendimet për dëm reputacional apo profesional janë konsideruar deklarative dhe të paargumentuara me fakte konkrete;

Sipas gjykatës, pezullimi i vendimit do të cenonte interesin publik, do të krijonte paqartësi institucionale dhe do të ndërpriste proceset e rregullta të vendimmarrjes në sistemin prokurorial.

Gjykata përfundimisht konstatoi se kushtet ligjore nuk janë përmbushur në mënyrë kumulative, prandaj kërkesa e Kelmendit për masë të përkohshme sigurie është refuzuar.

Kundër këtij aktvendimi, pala paditëse ka të drejtë ankese brenda 7 ditëve nga dita e pranimit të vendimit, në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.