Oda Ekonomike me kallëzim penal ndaj ZRRE-së

Një vendim i Gjykatës Supreme i muajit nëntor, lidhur me tregun e hapur energjetik, nuk u lexua njëjtë si nga paditësi, ashtu edhe nga e paditura. Supremja kishte aprovuar padinë e Odës Ekonomike të Kosovës, kundër ZRRE-së dhe kishte konstatuar se ajo shkeli ligjin kur mori vendim për t’i nxjerrë mbi 1300 biznese në tregun e hapur energjetik.

Supremja shfuqizoi dy nene të vendimit të ZRRE-së. Megjithatë, vendimi i Supremes nxiti një tjetër përplasje mes Odës dhe ZRRE-së, meqë Oda Ekonomike e Kosovës pas vendimit të Supremes tha se tregu i hapur energjetik duhet të anulohet në tërësi. Ndërkohë, ZRRE-ja insistoi të kundërtën, duke thënë se do t’i shqyrtojë të gjeturat e Supremes dhe do t’i ndryshojë këto nene. Por këtë interpretim nuk po e pranon Oda Ekonomike e Kosovës, e cila ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ZRRE-së.

“I kemi ofru 5 ditë kohë për me reflektu edhe për shkak të mos reflektimit qoftë me vetëdije qoftë pa vetëdije ne jemi detyru që me ushtru kallëzim penal, mirë po ne nuk do të ndalemi tani jemi në fazën e dytë me juristët tanë dhe të odës që po na ndihmojnë në këtë drejtim por nuk do të dorëzohemi sepse ëshët një e drejtë ligjore që na takon. Bizneset janë dëmtu me apo pa vetëdije të ZRRE-së, ne nuk jemi fajtor që nuk është ba një përgatitje e duhur e konkurrencës për me dal në tregun e lirë, nuk jemi fajtor që nuk është përgatitë infrastruktura ligjore për me dal në tregun e lirë, nuk jemi fajtor që nuk është përgatitë infrastruktura ligjore për me dal në tregun e lirë dhe nuk jemi fajtor pse qeveria ka pas ndikim te ZRRE-së për me u ba një vendim aq i dhunshëm që me i nxjerrë në mënyrë të dhunshme bizneset në tregun e lirë dhe me i dëmtu”, tha Rafuna për RTV21.

Gjykata Supreme tha se vendimi i ZRRE-së për tregun e hapur energjetik ka shkaktuar pasiguri ligjore dhe ekonomike te konsumatorët e energjisë elektrike. ZRRE-ja konsideron se tregu i hapur energjetik vazhdon të jetë në funksion.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës u shpreh i bindur se bizneset do të kompensohen për dëmet që iu janë shkaktuar.

Mes shumë kundërshtive, vendimi për tregun e Hapur energjetik hyri në fuqi më 1 qershor. Ky vendim nga ekspertë të ekonomisë është cilësuar si goditja më brutale ndaj bizneseve vendore që nga paslufta, meqë, i ka bërë prodhimet vendore të pakunkurrueshme në raport me produktet e importit.