Limaj i gatshëm për bashkim pa kushte me PDK-në: Ndihem rehat në logon e tyre

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe mundësinë e një bashkimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se koha nuk është pengesë, por se gjithçka varet nga vullneti politik.

Limaj tha se ka kërkesa nga elektorati që Nisma të bashkohet me PDK-në.

“Mërgimtarë, por edhe zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar që të ndodhë bashkimi. Nga deputetë me përvojë dhe drejtues të luftës është kërkuar nga unë që të bashkohem me PDK-në. Unë nuk kam dashur të injoroj kërkesën e tyre dhe kam shprehur gatishmërinë time”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, ndryshe nga raporti me LDK-në, te PDK-ja nuk ka pasur as hezitim e as kushte.

“Te LDK-ja kam hezituar për çështjen e siglës, ndërsa te PDK-ja nuk kam pasur asnjë hezitim. Kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të qenë në një listë të përbashkët, sepse unë ndihem rehat nën siglën e PDK-së dhe kemi qenë të gatshëm të bashkohemi pa kushte.”

Limaj theksoi se ka qenë dhe mbetet i gatshëm për një bashkim me PDK-në.

“Për Koalicion LDK-Nisma duhet kohë. Mendoj se për të ndërtuar diçka të përbashkët mes meje dhe PDK-së mjafton një minutë. Kur ka vullnet, duhet vetëm një minutë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se për një bashkim me Nismën e Fatmir Limajt nevojitet një kohë më e gjatë dhe një proces zgjedhor i ndryshëm. /telegrafi