Serbia ia cakton 30 ditë paraburgim shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999.

Ministria thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

Tutje, MPJD-ja thotë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e Qenajt dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik.

“Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë”, thotë MPJD-ja.

Njoftimi i plotë nga MPJD-ja:

Shtetasit të Kosovës Avni Qenaj i caktohen 30 ditë paraburgim në Beograd

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, z. Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për të mbrojtur të drejtat e z. Qenaj dhe për të kundërshtuar këto akuza të pambështetura dhe me motiv politik.

Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, dje ka vizituar z. Qenaj në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, ku i ka ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e drejtësisë.

Z. Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe se as aktualisht nuk ka keqtrajtime nga autoritetet e paraburgimit.

Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret vizitën e tyre në ditët në vijim. Familjarët e tij kanë angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor.

Z. Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar Merdar, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij ka një biznes familjar. Pas arrestimit, ai është mbajtur për 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd. Më 28 nëntor, ai ka dalë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë për Krime të Luftës të Beogradit, ku është njoftuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit ka iniciuar procedurë penale kundër tij dhe i është shqiptuar masa e paraburgimit.