Kusari-Lila reagon ndaj Lushtakut: Sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme
Ish-shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të sapobetuar të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili në adresë të aktores dhe ish-deputetes Adriana Matoshi përdori një gjuhë të rëndë.
Kusari-Lila ka thënë se Lushtaku, në vend se t’i përgjigjej me argumente akuzave të Matoshit për shitblerje të paligjshme të pronës publike, të cilat, siç thekson ajo, ai vetë i ka pranuar më herët, e ka poshtëruar atë me fjalor degradues, ndërsa paralajmëroi “kujdes” për mënyrën sesi flitet për të, transmeton Zeri.info.
Sipas saj, kjo qasje tregon mënyrën e komunikimit të Lushtakut dhe “kategorisë së tij”, të cilët, siç tha ajo, përdorin gjuhë nënçmuese ndaj grave kur ato flasin me fakte, ndërsa për burrat shfaqin kërcënime të hapura.
“Eh pra, urime Kryetar, sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës. Nëse nuk të ka pëlqyer deri tash çka të ka thënë, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme. Turp për ty!”, përfundoi Kusari-Lila.
Reagimi i plotë:
Në një deklaratë të vetme, kryetari i sapobetuar i Skenderajt, Sami Lushtaku, e quan me fjalë tjetër prostitutë Adriana Matoshin, e pastaj kërkon “kujdes” në atë që flasim, sepse sipas tij faktet që ajo ka përmendur (e që vetë Samiu i ka konfirmuar më herët) për shitblerjen e tokës publike, me fitime marramendëse për Lushtakun, paskëshin qenë “jo mjaftueshëm të mbështetura në fakte”. Pra, kjo është mënyra e komunikimit të Samisë dhe kategorisë së tij: gratë qenka prostituta nëse flasin me fakte, ndërsa burrave u tregon grushtin. Nganjëherë edhe grave u tregohet grushti — vetëm se duhet të jenë “kategori tjetër”. Eh pra, urime Kryetar, sapo ia konfirmove edhe një mandat Adrianës. Nëse nuk të ka pëlqyer deri tash çka të ka thënë, prit çka do të thotë në katër vitet e ardhshme. TURP për ty!