Murati thotë se kosovarët i kanë dy miliardë euro më shumë në banka se para pesë vjetësh

Pas Liza Gashit, zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ditë më parë tha se kosovarët janë më të pasur sesa në të kaluarën, një gjë të tillë e ka thënë edhe ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, shkruan Zeri.info.

Murati ka thënë se depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro.

“Kur faktet çmontojnë propagandën. Depozitat dhe kursimet e familjeve kosovare në banka në fund të muajit tetor kanë arritur 4.69 miliardë euro.

Sipas të dhënave zyrtare nga seritë kohore në faqen e BQK-së, depozitat dhe kursimet nëpër banka të familjeve në Kosovë kanë shënuar rekord me 4.69 miliardë euro”, ka shkruar Murati në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ai thotë se ka rritje prej 2.12 miliardë euro në krahasim me tetorin e para viteve.

“Kjo përbën një rritje prej 2.12 miliardë euro, ose 82.5%, krahasuar me muajin tetor para 5 viteve kur depozitat dhe kursimet e familjeve në Kosovë ishin 2.57 miliardë euro. Sa për krahasim, në periudhën 5-vjeçare para qeverisë ‘Kurti’, depozitat dhe kursimet e familjeve kishin shënuar rritje prej vetëm 745 milionë eurove, ose 40.8%. Pra në periudhën 2020-2025, rritja e parave në banka (depozita/kursime) për familjet në Kosovë ka qenë më se 2-fish më e shpejtë sesa rritja e parave në banka përgjatë 5-vjeçarit të qeverisjeve të kaluara (82.5% vs 40.8%)”. /Zëri