Avokati i Popullit: Mos certifikimi i Listës Serbe, në kundërshtim me ligjin

Avokati i Popullit ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 2 dhjetor 2025, i cili për herë të dytë refuzoi certifikimin e partisë Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas institucionit, vendimi është marrë pa bazë të qëndrueshme juridike dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.

Në reagim theksohet se përcaktimi përfundimtar i përshtatshmërisë së subjekteve politike është kompetencë e qytetarëve përmes votës së lirë, e jo i vendimeve administrative të institucioneve.

Avokati i Popullit rikujton se e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut.

Sipas institucionit, shteti ka detyrim pozitiv të krijojë kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor. Çdo kufizim ndaj partive politike duhet të jetë i domosdoshëm, proporcional dhe i mbështetur në ligj. Ndërhyrjet e pajustifikuara në këtë drejtim, thuhet më tej, cenojnë integritetin e procesit dhe barazinë e garës.

Avokati i Popullit thekson se të gjitha subjektet politike të regjistruara për zgjedhjet e parakohshme kanë kaluar procedurat ligjore të verifikimit, duke u konstatuar se i plotësojnë kushtet e kërkuara. Rrjedhimisht, sipas institucionit, KQZ ka pasur detyrim ligjor të konstatojë faktet dhe të certifikojë subjektet që plotësojnë kriteret, duke garantuar sigurinë juridike dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare.

Në reagim përmendet se praktikat ndërkombëtare parashohin që masat që kufizojnë pjesëmarrjen e partive politike, përfshirë moscertifikimin, duhet të bazohen në ligje të qarta dhe të parashikueshme, si dhe në procedura të plota ligjore. Masa të tilla mund të merren vetëm kur ka veprime konkrete të ndaluara me ligj dhe vendime të formës së prerë të gjykatave kompetente.

Institucioni mirëpret reagimet e akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë që kanë ngritur shqetësime se moscertifikimi arbitrar i një partie politike dëmton të drejtat e njeriut, besimin në procesin zgjedhor dhe parimin e gjithëpërfshirjes.

Në fund, Avokati i Popullit u bën thirrje organeve kompetente që ta rishqyrtojnë vendimin e KQZ-së dhe të veprojnë në pajtim me parimet e ligjshmërisë, kushtetutshmërisë dhe vlerave demokratike, duke garantuar mbrojtjen efektive të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur./Zëri