Presidentja dekoron aktivistët për të drejtat e personave me nevoja të veçanta

Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, presidentja Vjosa Osmani ka marrë vendim t’i dekorojë me Medaljen Presidenciale të Meritave një grup aktivistësh të cilët, me angazhimin e tyre të palodhshëm, kanë kontribuuar në mënyrë të jashtëzakonshme për fuqizimin, mbrojtjen e të drejtave dhe përfshirjen dinjitoze të kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

Sipas njoftimit të Presidencës, të dekoruarit e sivjetshëm janë: Halit Ferizi (post mortem), Agim Vatovci (post mortem), Sabrije Zeqa (post mortem), Merita Voca (post mortem), Mexhid Foniqi (post mortem) dhe Hiljminijeta Apuk.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se këta aktivistë, me avokimin e tyre publik, punën në terren dhe mbrojtjen e vazhdueshme të të drejtave të personave me nevoja të veçanta, kanë ndikuar në rritjen e vetëdijes shoqërore, avancimin e politikave publike dhe gjithëpërfshirjen.

“Kontributi i tyre është shembull i përkushtimit qytetar dhe i vlerave, të cilat vazhdimisht i afirmon Presidentja Osmani”.

Medaljet e akorduara do të dorëzohen në ceremoninë e veçantë të ndarjes së dekoratave që do të mbahet në fund të muajit dhjetor 2025.

“Presidentja Osmani ka theksuar se shoqëria jonë bëhet më e drejtë dhe më e fortë, nëpërmjet atyre që punojnë çdo ditë për barazi, dinjitet dhe përfshirje dhe se vlerësimi i tyre është një obligim institucional dhe moral”, thuhet në njoftim.