Krasniqi i LVV-së u kundërpërgjigjet ambasadorëve që kritikuan moscertifikim e Listës Serbe

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Alban Krasniqi, ka reaguar pas deklaratave të ambasadorëve në Kosovë, që kritikuan moscertifikimin e Listës Serbe, duke thënë se shqetësimi i vërtetë për ta do të duhej të ishte ngufatja e ushtrimit të të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga ana e Listës Serbe.

Këtu ai ka përmendur edhe veprimet kriminale dhe sulmet serbe që janë bërë në veri nga njerëzit që dikur drejtonin këtë parti.

“Të dashur ambasadorë, shqetësimi i vërtetë do të duhej të ishte ngufatja e ushtrimit të drejtës demokratike dhe pjesëmarrjes politike të komunitetit serb nga ana e Listës Serbe, e cila përveç faktit që është pjesëmarrëse direkte në sulmet dhe veprimet kriminale dhe terroriste kundër rendit kushtetues, ajo gjithashtu kontrollon dhe menaxhon me financat e Vuçiqit në Kosovë duke shantazhuar qytetarët serb në Kosovë dhe duke i përdorur ato mjete për financimin e kriminelëve që kanë sulmuar përveç policisë së Republikës së Kosovës edhe vet pjesëtarët e KFOR, pra bashkëkombësit tuaj”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej Krasniqi shkruan se: “E dyta, është heshtja juaj ndaj bllokimit që opozita me Listën Serbe po i bëjnë ushtrimit të së drejtës demokratike të mërgatës për të votuar”.