“Kompozimi dhe kompozitat në gjuhën shqipe”, libri i ri i Paçarizit

Javën e kaluar është publikuar libri më i ri i studiuesit dhe profesorit të gjuhësisë, Rrahman Paçarizi, me titull “Kompozimi dhe kompozitat në gjuhën shqipe”, nga shtëpia botuese “Armagedoni”.

Ai theksoi se, megjithëse shqipja ka një leksik relativisht të varfër, ajo zotëron kapacitete të mëdha fjalëformuese. Sipas tij, tri mënyrat kryesore të fjalëformimit në shqip janë: fjalëformimi ndajshtesor, konversioni, kompozimi.

“Me këtë libër i kam rrumbullakuar këto tri mënyra të mëdha të fjalëformimit”, tha Paçarizi dhe shtoi se ekzistojnë edhe mënyra të tjera si brendimi dhe format e përziera, të cilat lindin kur në gjuhë futen nocione të reja.

Profesor Paçarizi veçoi se kompozimi është një nga proceset më produktive në shqipe, pasi gjuha arrin të krijojë kompozita të reja në mënyrë automatike dhe relativisht të shpejtë, pavarësisht disa vështirësive strukturore. /rtk