Superkompjuteri zbulon favoritët kryesorë për ta fituar Botërorin 2026
Të premten, më 5 dhjetor, pritet të hidhet shorti i Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet verën e ardhshme në ShBA, Meksikë dhe Kanada. Për herë të parë në histori, Botërori do të ketë plot 48 skuadra pjesëmarrëse.
Aktualisht janë kualifikuar 42 ekipe, ndërsa gjashtë vendet e fundit do të përcaktohen në play-off-in e marsit, ku katër prej tyre do t’i takojnë kontinentit evropian. Siç ndodh shpesh përpara eventeve të mëdha, platforma e njohur statistikore OPTA ka analizuar të dhënat e saj dhe ka publikuar listën e ekipeve që konsiderohen favorite për të ngritur trofeun e vitit 2026, raporton Klankosova.tv.
Sipas llogaritjeve të OPTA-s, Spanja del në krye të parashikimeve me rreth 17% të mundësive për të triumfuar. Kampionët e Evropës shihen si skuadra më e fortë falë formës së shkëlqyer që kanë shfaqur vitet e fundit dhe cilësisë së lartë të futbollistëve që përbëjnë skuadrën.
Në vendin e dytë renditet Franca, e cila vlerësohet me 14% shanse. Kombëtarja e drejtuar nga Didier Deschamps vazhdon të konsiderohet një nga ekipet më konkurruese në botë dhe e aftë të luftojë deri në fund për trofeun.
Podiumi mbyllet me Anglinë, që vjen pas dy turneve të forta radhazi dhe mbetet ndër skuadrat me potencial të madh për të shkuar deri larg në këtë Botëror.