KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare
Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Anëtarët e KQZ-së vendosën me 2 vota për, 2 vota kundër erdhën nga LVV dhe pjesa tjetër abstenuan.
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi gjatë mbledhjes tha se vota kundër për Listën Serbe shkon për faktin që nënkryetari i saj ka qenë organizator i drejtpërdrejtë i sulmit të Bansjkës.
“Radojçiqi ka qenë nënkryetar i Listës Serbe, i cili ka bërë një sulm të armatosur në Republikën e Kosovës me një grup terroristësh me ndihmën e qeverisë serbe. Përveç që e ka bërë ai e ka pranuar personalisht, ai ka dhënë deklaratë botërisht se ka qenë udhëheqës, organizator i sulmit të armatosur. Aty janë vrarë 4 njerëz...Pra, Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve ka shpallur tre ditë zie për terroristët e vrarë në sulmin në Banjskë. Jo që s’ka hequr dorë ose s’ka kërkuar falje, por ka shpallur ditë zie duke i shpallur ata heronj”, ka thënë Kurteshi.
KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte ceritifikuar Listën Serbe. Por PZAP e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.