Transportuesit privatë dhe ata të Trafikut Urban sonte vendosin nëse kthehen në punë nesër
Përfaqësuesit e Trafikut Urban dhe ata të transportuesve privatë në Prishtinë do të takohen sonte në orën 18:00.
Në këtë takim ata pritet të vendosin nëse do të kthehen në punë nga e mërkura, nesër, pasi që Komuna e Prishtinë dhe Ministria e Financave kanë njoftuar se sot janë alokuar një pjesë e të hyrave vetanake të Komunës.
Takimin e ka konfirmuar kryeshefi i Trafikut Urban Qëndrim Vitija dhe kryetari i Sindikatës së linjave private, Avdyl Brajshori,
Vitija ka thënë për Koha se për borxhet që u ka Komuna nuk mjaftojnë vetëm 2.7 milionë eurot e alokuara deri tani.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, të martën ka njoftuar se kanë nisur të kryejnë pagesat e borxheve pas alokimit të pjesshëm të mjeteve nga Ministria e Financave.
Më herët, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se Komunës së Prishtinë i janë alokuar 2.7 nga 25 milionë euro sa janë në total të hyrat vetanake të vitit 2024.