Arrestohet edhe një i dyshuar në rastin “Laboratori 2025”, dyshohet se falsifikoi dokumente të mbi 50 shteteve

Prokuroria Speciale ka arrestuar edhe një person për rastin “Laboratori 25”.

N.S. dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Falsifikimi i dokumentit”. Ai është ndaluar për 48 orë.

Ekziston dyshimi i bazuar se, nga një periudhë e pacaktuar kohore e deri më 24 janar 2025, N.S. në bashkëpunim me të dyshuar të tjerë, në lagjen Qëndresa në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka kryer vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve publike si, pasaporta, patentë-shofera, e dokumente të tjera, të prodhuara për mbi 50 shtete të ndryshme të botës.

Në shtëpinë laborator, e cila ishte marrë me qira në emër të N.S., janë gjetur aparatura të ndryshme për prodhimin e këtyre dokumenteve të falsifikuara, me qëllimin të prezantimit dhe përdorimit të tyre si origjinale.

“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim dhe koordinim me hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me Kodin e Procedures Penale.”