Një vit burg babait që nuk paguante alimentacionet për dy fëmijët e tij

Gjykata Themelore në Ferizaj - Departamenti për të Mitur, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.V., për shkak të veprës penale “shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetës”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se gjyqtari i vetëm gjykues Shabi Idrizi, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e të gjitha provave personale dhe materiale, të pandehurin F.V., e shpalli fajtor dhe të njëjtin e gjykoi për veprën penale shmangia nga sigurimi i mjeteve për jetës me dënim burgimi në kohëzgjatje prej një viti i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, transmeton Zeri.info.

“I pandehuri F.V., akuzohet se nga data 3 tetor 2024 deri më tani, me qëllim i`u është shmangur sigurimit të mjeteve të jetesës për dy fëmijët të tij të mitur, për të cilët është i obliguar të kujdeset në bazë të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të datës 22 qershor 2023, me të cilin është detyruar që të ju paguaj të dëmtuarve - fëmijëve të tij mjetet për jetesë për çdo muaj dhe atë në shumën prej shtatëqind (700.00) Euro për të cilën është detyruar që t`i paguaj të dëmtuarës - ish bashkëshortes së tij A.G.V., deri sa të ekzistojnë kushtet ligjore ku i pandehuri i`u ka shmangur detyrimeve duke mos paguar shumën e përcaktuar të pagesës së alimentacionit të fëmijëve të përbashkët”, thuhet në komunikatën për media.

Në komunikatë thuhet se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt./Zëri