Rafineria e “NIS Petrol”-it mbyllet sot, Vuçiqi i drejtohet kombit: Serbia vuan, rusët dhe amerikanët shohin interesat e tyre

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu drejtua këtë të martë kombit pas një takimi me ekipet shtetërore përgjegjëse për stabilitetin dhe sigurinë energjetike dhe zbuloi se nuk ka lajme pozitive kur bëhet fjalë për NIS-in (rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë).

“Lidhur me NIS-in, nuk kemi lajme të mira. Prisnim të merrnim një licencë për të vazhduar furnizimin nga OFAC, por nuk morëm një vendim pozitiv. Jo vetëm që jam i zhgënjyer, por jam edhe i befasuar sepse nuk shoh se çfarë fituan nga kjo. U përpoqa ta vendos veten në vendin e tyre dhe të shihja se çfarë po bënin, por nuk e kuptova”, tha Vuçiqi.

“Është e qartë se rusët nuk duan ta shesin NIS-in”, vazhdoi ai, duke shtuar se nuk bëhet fjalë për para, por për politikë.

"Kjo është e drejta e tyre, ata janë pronarët. Gjëja tjetër është se ne kemi shumë probleme me të. Ashtu siç amerikanët nuk janë të interesuar për asgjë tjetër përveç interesave të tyre. Për momentin, vetëm Serbia po vuan dhe do të shohim se si do të shkojë", u mundua të shpjegonte presidenti serb.

Vuçiqi tha gjithashtu se JANAF nuk lejoi importin e naftës që nuk ishte menduar për rafinerinë në Pançevë, por për rezervat serbe. "Ata nuk besonin se ishte për magazinim, por për NIS-in. E refuzuan sepse donin të thoshin se nuk ishte vetëm NIS nën sanksione, por e gjithë Serbia është nën sanksione, derisa amerikanët thanë ndryshe", shtoi ai.

Presidenti i Serbisë tha gjithashtu se Ministrja serbe e Minierave dhe Energjisë, Dubravka ëedovië Handanovië, do të informojë NIS-in se nuk ka indikacione se SHBA-ja do të japë një licencë dhe kjo do të rezultojë në mbylljen e rafinerisë.

“Ata humbasin 370,000 euro në ditë teksa funksionon kështu. Është puna e tyre kur duan ta mbyllin rafinerinë. Ne dhamë lejen për ta mbyllur”, tha Vuçiqi, duke theksuar se Serbia ka karburant të mjaftueshëm sa për të mos u futur në krizë.

Rafineria në Pançevë duhet zyrtarisht të ndërpresë punën sot pas disa ditësh mirëmbajtjeje në regjimin e të ashtuquajturit qarkullim të ngrohtë, teksa SHBA-ja nuk lëshoi licencë për vazhdimin e operacioneve të NIS-it. /A2 Televizion