Aktakuzë ndaj nëntë personave, të dyshuar për laboratorin e drogës në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë personave të dyshuar në lidhje me rastin e laboratorit të drogës, i zbuluar më 23.04.2025, në Prizren.

Sipas aktakuzës, personat e dyshuar kanë vepruar si anëtarë të grupit duke shfrytëzuar dy banesa në lagjen “Dardania” në Prizren për të krijuar një laborator për kultivimin e bimës “kanabis sativa”, raporton Zeri.info.

Bëhet e ditur se ky laborator ishte i pajisur me llamba profesionale, sisteme ventilimi, pesticide, matës temperaturash dhe pajisje mbështetëse, ku të njëjtit kanë kultivuar dhe rritur 175 bimë “kanabis sativa”.

Po ashtu, të pandehurit D.M., E.M., M.S. dhe A.S. akuzohen se kanë pasur për qëllim shitjen dhe shpërndarjen e lëndës narkotike të përfituar nga kultivimi i kanabisit, përmes tharjes, paketimit dhe përgatitjes për shpërndarje.

Ndërkohë, të pandehurit K.R. dhe L.B. akuzohen se deri më 07.05.2025 kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike të llojeve marihuanë dhe kokainë në Prizren, Prishtinë dhe Fushë-Kosovë. Gjatë bastisjeve është sekuestruar një sasi totale prej 451.91 gramësh kokainë, para të gatshme dhe pajisje të tjera që shërbejnë për ndarjen dhe peshimin e lëndëve narkotike. Po ashtu, i pandehuri K.R., ka kryer shitjen e 2 kg marihuanë në këmbim të një veture “Audi A6”.

Ndërkaq, i pandehuri B.M., si pjesë e grupit të organizuar në bashkëkryerje ka ndihmuar në kultivimin e bimës “kanabis sativa”, duke i informuar të pandehurit e lartcekur për lëvizje të dyshimta që mund të çonin në zbulimin e laboratorit nga policia. Me këto veprime, i njëjti ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

“Prokurori i çështjes, me ngritjen e aktakuzës ka propozuar që të bëhet konfiskimi i mjeteve dhe sendeve, të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, ndër të tjera:

Një (1) banesë prej 100 m2 në Prizren;

Një (1) banesë prej 114 m2 në Prizren;

Dy (2) vetura

Narkotiku i sekuestruar;

Telefona mobilë;

Para të gatshme në shumën prej 1.020 € dhe 30 CHF”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë. /Zëri