Gjashtë të vdekur këtë vit në Kosovë si pasojë e HIV/AIDS-it, 31 raste të reja
Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë së HIV/AIDS-it, megjithatë vetëm gjatë këtij viti, sipas statistikave, janë regjistruar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur si pasojë e saj.
Është vlerësuar se përballja me HIV/AIDS-in mbetet sfidë globale, e sidomos tani edhe kur ka kufizim të fondeve. Kështu u tha në tryezën që u mbajt në Ditën Botërore të HIV/AIDS-it, e ku nga Ministria e Shëndetësisë u ritheksua përkushtimi i këtij institucioni për të forcuar sistemin shëndetësor dhe për të siguruar shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV.
Merita Vuthaj, përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë, tregoi tri prioritet e MSH-së.
“Kjo është një mundësi për të përkujtuar gjithë ata që kanë humbur këtë betejë më HIV/AIDS dhe për të mbështetur gjithë ata që jetojnë me HIV dhe për të forcuar përpjekjet tona për të parandaluar përhapjen e këtij virusi. Përballja me HIV/AIDS mbetet sfidë globale. Në këtë ditë dua të ritheksoj përkushtimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të përforcuar sistemin tonë shëndetësorë, për të siguruar që shërbimet e testimit, trajtimit dhe kujdesit për HIV të jenë të qasshëm për të gjithë. Jemi të vendosur të bashkëpunojmë ngushtë me organizatat vendase dhe ndërkombëtare për të përmbushur qëllimet globale duke përfshirë eliminimin e transmetimit të HIV-it dhe sigurimin e një cilësie më të mirë të jetës që jetojnë me këtë virus. Tri prioritetet mbetën kryesore. Së pari përdorimi i informacioneve të sakta dhe edukimi për të parandaluar transmetimin e HIV-it. Përmirësimi i shërbimeve shëndetësore për diagnostikim të hershëm dhe e treta luftimi i stigmës dhe diskriminimi ndaj atyre që jetojnë me HIV”, tha ajo.
Ndërsa drejtoresha e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Ardita Baraku, tha se viti 2025 ka qenë kritik sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS.
“Dita Botërore e HIV/AIDS-it shërben për të na rikujtuar rrugëtimin e gjatë që nga momenti i identifikimit të shkaktarit të HIV/AIDS-it…viti 2025 ka qenë kritikë sa i përket përgjigjes globale për HIV/AIDS, sepse në Kosovë, por edhe në vende të tjera të botës është bërë kufizimi i fondeve, në të cilat është rrezikuar përparimi i për kontrollin e kësaj sëmundjeje. Prandaj, shumë njerëz po përballen me rreziqe dhe cenueshmëri për të drejtat që i kanë për shëndet dhe për dinjitet, prandaj nevojitet prioritizimi dhe integrimi i shërbimeve”, u shpreh ajo.
Sherifi potencoi se si UNFPA në Kosovë ka kontribuuar në parandalimin e HIV/AIDS-it përmes programeve të shumta.
“Në fund të vitit 2024 rreth 40.8 milionë njerëz jetonin me HIV shumica në rajonin afrikan dhe vetëm gjatë vitit 2024 630 mijë persona humbën jetën nga shkaqet e lidhura me HIV, ndërsa 1.3 milionë u infektuan. Përparimi në parandalimin e HIV është çelësi për një brez të lirë nga SIDA…megjithatë, shkurtimet e mëdha të fondeve kanë goditur rëndë programet e parandalimit duke lënë milionë njerëz pa qasje në ilaçe jetike dhe duke rritur rrezikun e infeksioneve të reja veçanërisht tek vajzat dhe gratë e reja….Në Kosovë UNFPA ka përkrahur programe të shumta në fushën e parandalimit të HIV që nga viti 1999 duke punuar me qindra e mijëra të rinj”, theksoi ai.
Luljeta Gashi, nga Departamenti i Epidemiologjisë pranë IKSHPK-së, u shpreh se Kosova ka shkallë të ulët të epidemisë me HIV, megjithatë vetëm vitin aktual janë raportuar 31 raste të reja me këtë sëmundje ngjitëse dhe gjashtë persona kanë vdekur.
Sipas Gashit, moshat më të prekura janë ato 25-35 vjeç, derisa meshkujt janë më të infektuar me HIV me gjithsej 82%.
“Kosova është vend me shkallë të ulët të epidemisë ku prevalenca e HIV në mesin e popullatës së përgjithshme është nën 1% dhe në subpopullata nën 5%. Të dhënat ekzistuese dëshmojmë se ne nuk kemi epidemi të koncentruar apo gjeneralizuar të HIV-infeksionit. Që nga viti 1986 deri në vitin 2025 në Kosovë janë raportuar gjithsej 246 raste me HIV/AIDS. Deri më tani 57 persona kanë vdekur si pasojë e HIV/AIDS dhe gjatë këtij viti 2025 janë raportuar 31 raste me HIV/AIDS dhe 6 raste të vdekjes si pasojë e AIDS-it. Rastet me HIV/AIDS në Kosovë që nga viti 1986 deri në vitin 2025 shohim një rritje të rasteve nga viti 2022 kur i kemi 21 raste, në vitin 2023 20, në vitin 2024 i kemi pas 34 raste. Numri më i madh i rasteve është shënuar në komunën e Prishtinës janë 76 raste me 12 raste t] vdekjes si pasoj e AIDS. Pastaj, është komuna e Prizrenit me 32 raste me 5 të vdekur. HIV/AIDS mbetet një sëmundje akoma me mbizotërim urban. Sipas gjinisë 82% i përkasin gjinisë mashkullore dhe 18% janë të gjinisë femërore. Numri i rasteve sipas grup-moshës. Shpërndarja sipas grup-moshës tregon se në vendin tonë dominon grup-mosha 25-34 vjeç me 35% e ndjekur nga grup-mosha 35044 vjeç me 23%”, tha ajo. /EO