Salihu: Seanca për bartjen e mjeteve në Prishtinë nuk është përfunduar proceduralisht
Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP, ka dhënë vlerësimin e tij lidhur me seancën e Kuvendit Komunal të Prishtinës për bartjen e mjeteve.
Ai thekson se, megjithëse votimi i të enjtes për bartjen e të hyrave mund të ketë qenë në rregull proceduralisht, kjo nuk e konsideron procesin të përfunduar.
“Seanca ende nuk konsiderohet e mbyllur proceduralisht, prandaj pritjet që brenda ditës të tejkalohen problemet buxhetore janë të gabuara”, tha Salihu.
Analisti shpjegon se çdo vendim i Kuvendit Komunal duhet të kalojë më pas për shqyrtim të ligjshmërisë nga Ministria e Administratës Publike dhe Lokal (MAPL), një proces që zakonisht zgjat deri në 15 ditë.
Kjo ministri vlerëson nëse votimi ka qenë në përputhje me ligjin dhe nëse janë respektuar të gjitha kushtet ligjore për thirrjen e seancës.
Salihu shtoi se në shumë raste, MAPL-ja ka konstatuar parregullsi, çka mund të detyrojë Komunën ose të përsërisë seancën, të pezullojë vendimin, ose nëse ka kundërshtim, lënda mund të përfundojë në gjykatë.