“Trafiku Urban” ende pa zgjidhje, protesta do të vazhdojë edhe të martën

As nesër nuk do të ketë linja të “Trafikut Urban” në Prishtinë. Kjo pasi operatorët do të vazhdojnë edhe nesër me protestë, pasi ende nuk u janë alokuar mjetet financiare.

Elmi Gashi nga “Trafiku Urban” ka deklaruar se nuk kanë marrë ende asnjë informacion nga institucionet.

“Ditën e sotme protesta ishte prej orës 10:00 deri në orën 12:00. Akoma nuk kemi marrë asnjë informatë për rrjedhën e asaj se çfarë duhet të bëjë Ministria t’i alokojë paret. Deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e ‘Trafikut Urban’ dhe sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta njëjtë sikur sot nga ora 10:00 deri në orën 12:00. Deri në kohën që i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Transportit Privat, Izet Smajli, ka thënë se barra për këtë kaos po u bie qytetarëve, të cilët kanë mbetur pa transport.

“Sa më shpejt që të dalin mjetet, transporti fillon më shpejt. Kur është interesi i përgjithshëm i qytetarëve e i kombit duhet me qenë unikë, duhet me qenë të bashkuar. Pa qenë të bashkuar, pa qenë unikë, nuk mund të ecim përpara”, tha ai.